Festivali më i madh evropian javën e ardhshme do të zhvillojë fazën e tij garuese në tre netë spektakolare në datat 9 dhe 11 maj (gjysmëfinale), dhe 13 maj (finale).
Shqiptarët në këtë festival këtë vit i përfaqëson këngëtarja Linda Halimi me këngën “Botë”, e cila ngjitet në natën e parë gjysmëfinale me 9 maj, në skenën e “Eurovision 2017”, i cili mbahet sivjet në Kiev të Ukrainës.
Këto ditë kanë filluar edhe provat e para për paraqitjen skenike të këngëtares në festival, e cila duket se ka nisur mirë që nga interpretimi e deri te zëri i saj, i cili duket të jetë në formën më të mirë, shkruan Telegrafi.
(Video: Prova e parë e Linda Halimit në “Eurovision 2017”)
Ndonëse është një këngë e mirëfilltë dhe dinjitoze për tu paraqitur në këtë festival, kënga “Botë” duket se nuk ka arritur të godasë edhe aq shumë në veshin e shqiptarëve. Ajo nuk është transmetuar aq shumë në televizion, si dhe nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga mediet.
Krejt kjo bën të duket sikur “Botë” të jetë kënga e cila ka zgjuar më së paku pluhur në rrugën e Shqipërisë në “Eurovision”.
Mbase dështimet e njëpasnjëshme dhe versioni i përhershëm i “Eurovisionit” si festival ‘politik’, duket se ka bërë që shqiptarët ta humbin interesimin, dhe mos t’i kushtojnë kujdes dhe vëmendje as përfaqësimit të tyre në këtë shtet.
Megjithatë ekipi shpreson se e gjithë kjo mos-shpërndarje e këngës në rrjetet sociale qoftë nga fansat apo fytyrat publike, mos-transmetimit në TV, përkrahje në medie etj, të mos jetë një neglizhencë apo bojkotim.
Sido që të jetë, Linda mund të arrijë shumë në këtë festival për shkak të këngës së bukur dhe zërit potent që ka. Kujtojmë që një histori e ngjashme kishte ndodhur në vitin 2012 me këngëtaren Rona Nishliu, e cila ‘kritikohej’ para netëve festivalit se po e përfaqëson Shqipërinë me këngë vajtuese, por që më pas doli të jetë më e arrira nga shqiptarët në këtë festival. /Telegrafi/