Sitizensët (nga anglishtja Citizens – qytetarë), siç e dimë, janë qytetarët e përfshirë aktivisht në një bashkësi politike reale. Ata marrin pjesë realisht, drejtpërdrejt ose jo, në jetën sociale e politike të vendit të vet, e jo vetëm. Për ata ka një botë që shihet me sy dhe preket me dorë. Ata mblidhen nëpër zyra, nëpër salla mbledhjesh, nëpër amfiteatro e sheshe për t’u organizuar, aktivizuar politikisht e shoqërisht. Ata, gjithashtu, ekzistojnë prej kohësh. Ata i kanë dhënë jetë shoqërisë e politikës, shtetit e ligjit. Sot ka shumë pak nga soji i tyre.
Netizensët, ndërkaq, janë pjellë e botës së virtualizuar të internetit dhe masmedias. Ata janë një konglomerat kiberqytetarësh (cybercitizens) të lidhur ndërmjet vete përmes rrjetit, mediave sociale, elektronike, sajteve të ndryshme e kështu me radhë. Ata diskutojnë, votojnë, marrin vendime, kundërshtojnë, mendojnë, shprehin, dashurojnë, urrejnë, urojnë e mallkojnë përmes tasteve, mausit, fotografive, videove. Ata janë larg, ndonjëherë tepër larg njëri-tjetrit dhe teksa orvaten për t’u afruar dhe organizuar gjoja për kauza politike e të tjera, gjithë kohën i qërojnë hesapet me tastierën. Ata i veçon braktisja e realitetit dhe ikja drejt virtuales.
“Ata” nuk janë të huaj për ne. “Ata” jemi shumica prej nesh, gati të gjithë ne. Kjo është bota e netizensëve, kjo është bota e shumicës prej nesh, gati e të gjithë neve.
Në botën e globalizuar dhe virtuale, lidhjet tona, solidariteti ynë, vlerat dhe botëkuptimet tona të përbashkëta gjejnë shprehje nëpër faqet e Facebookut, ekranet televizive dhe smartphoneve. Me një të rënë të tastit, me një “click”, ne mëtojmë të përcjellim ide, ndjenja, mesazhe e solidarësi tek ata që na duket se bashkëmendojnë e bashkëndjejnë me ne.
Në hallakamën e virtualitetit ka së tepërmi klikime, etiketime e pëlqime ndërmjet individëve dhe kibergrupeve, rritja e të cilave shumë shpesh shkon krahas me rritjen e indiferencës dhe apatisë sociale në botën e realitetit të vrazhdë dhe të varfër shpirtërisht e mendërisht.
Dikur, në marrëdhëniet reale mes individëve dhe grupeve shoqërore, solidariteti pa “selfie” ka mundur të jetë aq i fortë, sa të ketë rezultuar edhe me ndonjë pjesëmarrje në luftë të armatosur e të përgjakshme. I tillë ka qenë, për shembull, rasti i një komunisti shqiptar, i cili solidaritetin me sivëllain e tij ideologjik në Spanjë e jetësonte atje, në fushëbetejë, karshi forcave fashiste. Kjo ka qenë bota e një qytetari real, e frymëzuar atëherë nga rrëfimet e mëdha të Modernës.
E sot, për një të ri kosovar të arratisur nga realiteti, të solidarizohesh me bashkëkombësin nga Maqedonia që revoltohet kundër politikave perfide të qeverisjes së vendit të vet, do të thotë të postosh në profilin e Facebookut një foto të flamurit shqiptar të shkruar mbi të fjalët “Shqipëri etnike”, ose një tjetër të protestave, ku shihen teksa përleshen qytetarë dhe policë.
Virtualja i ka dekontekstualizuar njerëzit politikisht, fetarisht e kulturalisht. Thirrja pa rend e pa vend e parullave “Shqipëri etnike” nëpër rrethe virtuale nga netizensë, gjoja nacionalistë, është një shembull që tregon më së miri shkëputjen totale të kiberqytetarëve nga rrethanat politike reale të vendeve të tyre. Për kiberqytetarët e kredhur nëpër karriget e tyre para kompjuterëve, fjalët si sovranitet e integritet territorial, pavarësi politike e të tjera si këto, nuk kanë kuptim.
Bota paralele-virtuale dhe e globalizuar është botë pa kufij. Shkulja nga konteksti real politik, kulturor e fetar dhe zhytja në oqeanin e pafund të virtuales, ndiqet nga një prirje e netizensëve për të banalizuar secilën fushë të veprimtarisë shoqërore.
E njëjta gjë po ndodh edhe në rrafshin e religjionit. Olivier Roy, studiuesi me nam i Islamit politik, globalizimin dhe virtualizimin e islamit dhe të myslimanëve të perëndimorizuar, e sheh si një nga shkaqet themelore të përhapjes së të ashtuquajturit fundamentalizëm islamik. Emigrimi në Perëndim i shumë të rinjve myslimanë dhe ndarja e tyre nga kulturat e origjinës, i ka sjellë ata na një krizë identiteti. Të gjendur midis një shoqërie me kulturë dhe vlera krejtësisht të ndryshme, perëndimore, i vetmi burim i këtyre të rinjve për të plotësuar nevojat identitare është hapësira e pafund virtuale, ku gjenden edhe sajte pafund me përmbajtje fetare islame. Edhe përpjekja e tyre për të krijuar një komunitet mbarëbotëror mysliman (umma), bëhet përbrenda kësaj hapësire publike virtuale. Kështu, fundamentalizmi i islamit është baras me banalizimin e këtij të fundit, duke e reduktuar të gjithë ngrehinën teologjiko-metafizike të tij në rrafshin praktik moral të të ndaluarës dhe të lejuarës.
Në botën artificiale të përfshirë nga globalizimi virtual i karakterit të një amullie sociale, morale e politike, nuk ka as subjektivitet, e as sistem të mirëfilltë vlerash shoqërore. Krejt kjo botë veçohet nga njëdimensionaliteti vulgar i mendimit, i shijes dhe preferencave artistike, i mënyrës së të shprehurit, i bindjeve. Kjo botë, herë-herë është një pasqyrë e vërtetë e botës reale, e shumë herë të tjera është një pasqyrë e thyer e saj.