Telegrafi

Bota në frikë: Izraeli bombardoi Sirinë, Irani paralajmëroi bombardimin e Tel Avivit (Video)

Rrjeti televiziv amerikan NBC thotë se Izraeli nuk do të lejojë Sirinë dhe Hezbollahun të kalojë të ashtuquajturën “vijë e kuqe”, pra se me forcë do të ndalojë çdo përpjekje siriane për t’ia dhënë Hezbollahut armët jokonvencionale, kimike dhe biologjike.

Menjëherë pas lajmit të bombardimit të autokolonës siriane, u përfshirë në këtë rrëfim Irani, armiku kryesor i Izraelit dhe një fuqi rajonale që mbështet regjimin e Sirisë dhe Hezbollahun. Ministri i Jashtëm iranian, Ali Akbar Salehi, ka dënuar bombardimin izraelit të një kompleksi ushtarak në Siri, duke e quajtur si agresion brutal, nga frika se Izraeli, duke parandaluar dorëzimin e armëve për Hezbollahun, dobëson kërcënimet iraniane ndaj këtij vendi.

"Nuk ka asnjë dyshim se ky akt agresiv shkon në të njëjtin drejtim, si politika e Perëndimit ashtu edhe politika sioniste, për të vënë në sfond të dytë suksesin e popullit sirian dhe të qeverisë siriane, që duan të kthejnë stabilitetin dhe sigurinë në vend”, ka thënë Akbar, transmeton Haaretz. Ndërsa, zëvendës i tij, Amir Abdollahian, siç raporton Guardian, tha se sulmi në Siri do të ketë "pasoja të rënda për qytetin izraelit të Tel Avivit".

Në të njëjtën kohë, në Izrael politikanët heshtin. Nuk ka konfirmim për sulmin natën e kaluar. Të martën, gjeneralmajori Amir Eshel tha se Izraeli "kryen veprime që synojnë për të eliminuar kërcënimet dhe për të krijuar kushte të favorshme për fitore në luftë”.

Në këtë histori është bashkuar edhe Rusia, një aleat i Sirisë, e cila konfirmoi se bombardimi i qendrës kërkimore është “sulm i paarsyeshëm në territorin e një shteti sovran, që shkel Kartën e OKB-së dhe është absolutisht e papranueshme, pavarësisht motiveve”.

Siria, sot pasdite, ka shtruar ankesë në OKB, duke kërcënuar edhe për “pasoja të rënda".

Edhe pse diplomacia izraelite nuk po deklarohet, zyrtarët amerikanë kanë thënë, sipas New York Times, se ishin të informuar për qëllimet e Izraelit për të sulmuar Sirinë.

Për shkak të frikës nga sulmet në qytetet e mëdha izraelite – Tel Aviv, Jerusalem dhe Haifa – popullata ka nisur të marrë masat e sigurisë. Mediat raportuan se popullsia në Jerusalem është duke u furnizuar me maska gazi. /Telegrafi/