Tenisti australian, Nick Kyrgios, i ka kritikuar veprimet e Novak Djokovic, pasi tenisti serb ka rezultuar pozitiv në COVID-19 ditën e martë, njësoj si edhe gruaja e tij, Jelena.
Djokovic kishte organizuar turneun miqësor Adria Tour në Serbi dhe Kroaci. Turneu ka marrë kritika të mëdha nga bota e tenisit, duke qenë se po ndodhte në periudhën e pandemisë dhe nuk i respektonte protokollet e distancimit fizik.
Viktor Troicki, Grigor Dimitrov dhe Borna Coric, po ashtu kanë dalë pozitiv në coronavirus, pasi kishin marrë pjesë në këtë turne.
Prayers up to all the players that have contracted Covid – 19. Don’t @ me for anything I’ve done that has been ‘irresponsible’ or classified as ‘stupidity’ – this takes the cake. https://t.co/lVligELgID
— Nicholas Kyrgios (@NickKyrgios) June 23, 2020
Më herët gjatë turneut ishte publikuar një video në rrjetet sociale që shfaqte Djokovicin, Dimitrovin dhe të tjerët, si Alex Zverev e Dominic Thiem, duke u argëtuar në një ndejë në Beograd.
Në një postim në Twitter, Kyrgios ka thënë se kurrë nuk ka bërë diçka aq të papërgjegjshme dhe budallallëk sikurse ndeja e Djokovic.
Gazetari veteran, Peter FitzSimons, është tronditur nga skenat në Beograd dhe Zarë, ku nuk mbahej distanca fizike dhe yjet kërcenin pa fanella dhe pa kontroll. Ai ka kërkuar nga Djokovic që të japë dorëheqje nga presidenca e Këshillit të ATP-së pas këtyre ndodhive.
Tenisti më i mirë britanik, Dan Evans, ka thënë se Djokovic duhet të mbajë përgjegjësi pasi tenistët tjerë të pranishëm në evenimentin e organizuar nga ai rezultuan pozitiv. “Mendoj se është një shembull i keq”, ishte pohimi i tij.
Ndërkaq, britaniku i famshëm i tenisit, Andy Murray ka theksuar se “ky ishte një mësim për të gjithë ne”.
Në ndërkohë, vet tenisti numër një në botë ka lëshuar një komunikatë duke kërkuar falje për veprimet e tij. /Telegrafi/