Boston Celtics është duke vazhduar furishëm kampionatin në NBA.
Të gjithë menduan se fitoret e njëpasnjëshme të skuadrës nga Konferenca Lindore do të ndalen nga kampioni në fuqi Golden State Warriors, por u gabuan shumë.
Celtics ishin duke pësuar humbje vetëm në çerekun e parë por në fund kthyen gjithçka dhe triumfuan me katër pikë diferencë 92-88.
Fitorja ndaj Golden State Warriors ishte e 14-ta radhazi për Boston Celtics që ka pësuar vetëm dy humbje dhe atë në dy ndeshjet e para.
Jaylen Brown ishte koshashënuesi më i mirë në këtë sfidë për vendasit me 22 pikë e shtatë kërcime.
Paraqitje mjaftë të mirë kishin edhe qendra Al Horford me 18 pikë e 11 kërcime, Kyrie Irving me 16 pikë e gjashtë asistime si dhe talenti Jayson Tatum me 12 pikë e katër kërcime.
Tek mysafirët më efikasi ishte Kevin Durant me 24 pikë, ndërsa Steph Curry u ndal në vetëm nëntë pikë.
Ndërkohë në ndeshjen tjetër të mbrëmjes mes Phoenix Suns dhe Houston Rockets fitore kanë shënuar këta të fundit.
Në një ndeshje ku pati shumë pikë të shënuara, Rockets në fund triumfuan me rezultat të lartë 142-116.
James Harden si gjithnjë shkëlqeu për ‘Raketat’ me 48 pikë të shënuara si dhe bëri shtatë asistime.
Harden u ndihmua edhe nga Ryan Anderson që shënoi 24 pikë si dhe Clint Capela që pati paraqitje të mirë me 12 pikë e 10 kërcime.
Troy Daniels ishte më efikasi tek Suns me 23 pikë, ndërsa u ndihmua nga Greg Monroe me 20 të tjera por që nuk ishin të mjaftueshme për fitore. /Telegrafi/
Boston Celtics – Golden State Warriors 92-88
Phoenix Suns – Houston Rockets 116-142