Ekipi më i trofeshëm në histori të NBA, Boston Celtics, ia ka treguar vendin Golden State Warriors, duke ia shkaktuar humbjen e parë në shtëpi këtë sezon dhe në total pas 54 ndeshjeve radhazi, me rezultat 109-106.
Ndeshja ishte e nivelizuar nga fillimi në Oracle Arena të Oaklandit në Kaliforni, ku skuadrat bënë një luftë të pa parë.
Vendimtar ishte Isaiah Thomas, i cili shmangu një top të vjedhur nga Curryi, hyri në zonë heroikisht për të realizuar një pikë të vështirë për rezultatin 109-106.
Me tetë sekonda të mbetur, Golden State planifikoi mirë aksionin dhe e vuri në pozitë shënimi Stephen Curryn.
Ai e huqi nga perimetri për pikët vendimtare të kësaj sfide, duke i kushtuar kështu kjo gjuajtje jo e sakt ekipit të tij me humbjen e tetë këtë sezon. Deri në atë moment në këtë ndeshje Curry realizoi tetë treshe, por vendimtaren nuk e realizoi.
Më i miri ishte me pikë Curry me 29 pikë, teksa njeriu i ndeshjes Isaiah Thomas realizoi 22 pikë dhe 6 asistime.
Pas kësaj disfate, Golden State ndalet në 36 fitore në shtëpi këtë sezon, duke ia garantuar San Antonio Spurs rekordin si ekipi i vetëm me startin më të fortë në histori të NBA në shtëpi, pasi Spurs tejkaluan edhe Chicago Bulls me 38 fitore në po aq ndeshje këtë sezon në shtëpi. Ende asnjë ekip në NBA nuk është i pamposhtur në shtëpi.
Po ashtu, Golden State me humbjen e tetë këtë sezon (68-8) rrezikon shumë rekordin që po e synon, atë të Chicago Bulls, që kanë 72 fitore dhe 10 humbje. Nëse Golden State humbin edhe dy herë, atëherë thyerja e rekordit të Chicagos do të jetë e pamundur. Golden State ka edhe dy ndeshje ndaj San Antonio Spurs këtë sezon. /Telegrafi/