Telegrafi

Boston vazhdon me paraqitje fantastike, mposht edhe në ndeshjen e tretë Brooklynin

Boston Celtics kanë marrë një tjetër fitore në raundin e parë të ‘Play-Off’-it ndaj Brooklyn Nets.

Skuadra e udhëhequr nga trajneri Ime Udoka ka triumfuar në Barclays Center me gjashtë pikë diferencë 103:109, duke e ngritur në 0-3 serinë e fitoreve.

Më meritori për këtë fitore të madhe padyshim që ka qenë Jayson Tatum që e mbylli ndeshjen me 39 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime.

Lojë të mirë shfaqi edhe Jaylen Brown me 23 pikë, katër kërcime e pesë asistime, derisa me pikë dyshifrore takimin e mbyllën edhe Marcus Smart (14) e Pritchard (10).

Bruce Brown ishte më efikasi tek skuadra vendase me 26 pikë e tetë kërcime.

Ndërkohë dy super yjet e Nets, Kevin Durant dhe Kyrie Irving e mbyllën ndeshjen me vetëm nga 16 pikë të shënuara dhe kjo tregon lojën fantastike të Celtics në anën defensive duke neutralizuar totalisht dy yjet e vendasve.

Ndeshja e katërt mes dy skuadrave zhvillohet pas dy dite dhe Celtics kanë nevojë vetëm edhe për një fitore për të kaluar në raundin tjetër. /Telegrafi/