Telegrafi

Boston vazhdon me fitore, Philadelphia 76ers pëson edhe humbjen e tretë radhazi

Janë zhvilluar ndeshjet e xhiros së radhës në elitën e basketbollit amerikan NBA, ku janë arritur disa rezultate mjaftë interesante.

Finalisti i vitit të kaluar, Boston Celtics ka vazhduar me formën fantastike duke marrë një fitore të radhës, e treta deri më tani në po aq ndeshje.

Celtics kanë triumfuar në udhëtim te Orlando Magic me gjashtë pikë diferencë, 120:126.

Jayson Tatum ka dhuruar një shfaqje të jashtëzakonshme në këtë sfidë ku për 37 minuta sa qëndroi në parket ka shënuar 40 pikë, bëri tetë kërcime e një asistim.

Me lojë të mirë u dallua edhe fundori White që shtoi 27 pikë në këtë duel.

Te vendasit më i dalluari ishte ylli amerikan Terrence Ross me 29 pikë, por që nuk mjaftuan për fitore.

Humbjen e tretë në po aq ndeshje e ka arritur edhe Philadelphia 76ers, ku tani janë mposhtur në përballje me San Antonio Spurs 105:114.

Joel Embiid shënoi 40 pikë e 13 kërcime për vendasit, por që ishin të pamjaftueshme për ta shmangur humbjen nga Spurs. /Telegrafi/