Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Mile Boshnjakovski, sot në konferencë për shtyp deklaroi se qeveria po punon për të kthyer të rinjtë, që janë larguar nga Maqedonia.
Ai tha se qeveria nuk posedon të dhëna të sakta në lidhje me numrin e qytetarëve që e kanë braktisur vendin, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Qeveria e kaluar kishte disa masa, por fakt është se demografia nuk mund të përmirësohet për dy vite. Për fat të keq, nuk kemi informacione se sa është numri i të rinjve që janë shpërngulur. Ne si qeveri punojmë me përkushtim që të rinjtë t’i kthejmë në Maqedoninë e Veriut”, tha Boshnjakovski.
Ndryshe, ai në konferencën e sotme njoftoi për vendimet që qeveria i ka marrë në seancën e mbajtur dje, në mesin e të cilave edhe riemërimi i stadiumit “Filipi i Dytë” në “Toshe Proeski”, si dhe vendimin për ndërtimin e 14 pishinave në 14 komuna të vendit./Telegrafi/