Telegrafi

Boshnjakovski: Gjermania nuk përfshihet në negociatat për emrin

“Gjermania nuk përfshihet në mënyrë aktive në negociatat për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë me përkrahjen e Kombeve të Bashkuara dhe ndërmjetësuesin Matthew Nimetz”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e sotme për media.

I pyetur për optimizmin e Zaevit, se është e mundur që zgjidhja për kontestin me emrin të gjendet deri në korrik të këtij viti, Boshnjakovski tha se gjithçka lidhur me këtë çështje ka qenë publike dhe transparente dhe prandaj mund të thuhet se ekziston optimizëm.

“Negociatat po zhvillohen në suaza të OKB-së dhe ndërmjetësuesit Mattew Nimetz. Kuptohet se disa miq të Maqedonisë dhe Greqisë e kanë pikëpamjen e tyre lidhur me gjërat, mund të diskutojnë, por nuk do të marrin pjesë në negociatat”, u shpreh Mile Boshnjakovski.