“Dorëheqja e ministrit të Drejtësisë, Bilen Saliji, nuk do të ndikojë në procesin e reformave dhe asgjë nuk do të bllokohet”, ka thënë sot zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Ai tha se ministri i Drejtësisë vendimin për dorëheqje e ka marrë personalisht, pasi ka ndjerë përgjegjësi morale për humbjen e besimit në lidhje me reformat në drejtësi, si dhe rastin me Almirin e vogël, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në lidhje me Ligjin e gjuhëve, zëdhënësi i qeverisë tha se i njëjti do të dërgohet në Komisionin e Venedikut dhe më pas do të shpallet në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë.
Përndryshe, ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji, mbrëmë në konferencë për shtyp njoftoi se dorëhiqet nga posti i ministrit, si pasojë e humbjes së besimit të qytetarëve tek drejtësia, pas rastit të fundit që ndodhi me lëndën e 4-vjeçarit Almir Aliu./Telegrafi/