Zyra e Kryeministrit për çështje të komuniteteve ka organizuar koktej për të shënuar 28 shtatorin- Ditën Botërore të komunitetit boshnjak.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj është shprehur se bashkëjetesa midis komuniteteve të ndryshme në Kosovë është një realitet i prekshëm. Ai vazhdoi më tej duke potencuar se komuniteti boshnjak nuk është thjesht një peisazh i Kosovës multietnike por, është edhe urë që lidh dhe ndihmon bashkëpunimin në mes të Bosnjës dhe Kosovës.
Duda Balja, deputetja nga grupi 6+ ka thënë se është koha që të bëjnë një vijë për të ndarë të tashmen dhe të kaluarën në mënyrë që të ndërtohet një shoqëri e përbashkët.
Ajo është shprehur se pavarësisht problemeve me të cilat ndeshet komuniteti boshnjak ne Kosovë, është rritur përfaqësimi në institucione i këtij komuniteti.
“Sot jemi shumë më mirë se më herët”, ka vënë në dukje ajo.
Ministri i zhvillimit rural, Rasim Demiri, ka uruar boshnjakët për këtë ditë, duke shtuar se e sotmja duhet të shërbejë si mësim për të mos përsëritur të kaluarën.
Demiri më tej ka përmendur kontributin e këtij komuniteti për ndërtimin e shtetit kosovar.
Po ashtu, Demiri shprehu nevojën e zhvillimit ekonomik si një garanci për të rritur mirëqenien e këtij komuniteti dhe të ndihmojë në kultivimin e një shoqërie multietnike ku komunitet do të jenë të integruar./KP/