Site icon Telegrafi

Borxhi publik i Maqedonisë së Veriut arrin në 5.5 miliardë euro

Borxhi publik si borxh i shtetit , dhe ndërmarrjeve publike të shtetit apo komunave ka arritur në 48.9 për qind të Prodhimit Bruto apo pesë miliardë e 541 milion euro. Sipas Strategjisë së re fiskale 2020-2022, pritet së pari rritje dhe pastaj edhe ulje graduale e borxhit publik.

“Në kushtet e rritjes së butë të borxhit të garantuar deri në vitin 2021 si rrjedhojë e implementimit të projekteve kryesisht të infrastrukturës rrugore me borxhe të garantuara nga shteti, dhe uljes së tij deri në vitin 2022, pritet rritje e butë e borxhit publik në 52.3 për qind të PPB, në vitin 2020, pastaj ulje të tij në 50,8 për qind në vitin 2021 dhe në 49.1 për qind si pjesë e PBB-së në vitin 2022”, theksohet në strategji.

Njëherësh në vitin 2020 dhe 2021 duhet të kthehen 1.2 miliardë borxhe të viteve 2013 dhe 2014 apo sivjet duhet të kthehen 700 milion euro, ndërsa vitin e ardhshëm duhet të kthehen 500 milion euro të eurobondit. Në ndërkohë, analizat e ndryshme tregojnë se përkundër faktit se borxhi po fillon të stabilizohet, kompetentët paralajmërojnë se nevojitet më shumë kujdes me uljen graduale të tij në vitet e ardhshme. Nga Qendra për Analiza ekonomike udhëzojnë që balanci fiskal afatgjatë apo harxhimet më të madh se të hyrat në buxhet, duhet të zbuten me përshtatjet e arsyeshme për të gjitha harxhimet e obligueshme dhe me diskrecion. Me fjalë të tjera kërkohet më shumë kujdes për harxhimet që edhe e shpenzojmë më shumë buxhetin e shtetit si pensionet, ndihmat sociale, subvencionet për firmat dhe ato bujqësore e kështu me radhë.

“Transferet, harxhimet për çështje sociale, si dhe ndihma shtetërore në mënyrë të konsiderueshme po kontribuojnë për ngarkesën e tepërt dhe tej mase të borxhit përmes rritjes së deficitit që duhet më mirë të drejtohet,ndiqet dhe racionalzohet”, shtojnë nga Qendra për Analiza Ekonomike. Nga atje shtojnë se rritja e borxhit publik në kushte të hapësirës së kufizuar fiskale kërkon adaptim edhe në anën e të hyrave, por edhe të dalave në buxhet. Mirëpo këto masa kërkojnë edhe politika të kombinuara që do të mbështeten nga konsenzusi politik. Kërkohet edhe shtrëngim i harxhimeve buxhetore si dhe shpenzime publike më efikase. Njëherazi potencohet se stabilizimi i borxhit publik është i ndjeshëm edhe ndaj shkallës së rritjes ekonomike dhe shkallës së ndjeshme të kamatave. Në vitet e kaluara, hyrja e madhe në borxh nuk ishte mirëpritur as nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërsa analizat e ndryshme tregojnë se deficiti në buxhet apo dallimi midis të ardhurave më të vogla më buxhet dhe harxhimeve më të mëdha kanë shkaktuar edhe rritjen e borxhit publik. Janë kritikuar edhe harxhimet joproduktive si projekti “Shkupi 2014”, si dhe rritja e pensioneve më e lartë se lejon rritja ekonomike.

Nga Qendra për Analiza Ekonomike thonë se borxhi publik mund të zvogëlohet nëse i kushtojmë një vëmendje më të madhe deficitit primar apo dallimit midis deficitit fiskal të vitit aktual dhe normës së interesit të paguar për huazimet e një viti më parë. “Stabilizimi i borxhit publik kërkon një deficit primar deri më 0.8 për qind si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto, apo në mesatare nga 0.5 për qind të PBB-së në periudhën e ardhshme. Nga ana tjetër të dhënat tregojnë se deficiti në periudhat e ardhshme planifikohet në mbi një për qind si pjesë e PBB-së”, thonë nga kjo qendër. Analizat e tjera gjithashtu udhëzojnë për një kujdes më të madh me menaxhimin e borxhit publik. “Kreatorët e politikave duhet të financojnë vetëm projekte produktive që kanë efekt të lartë multiplikativ apo të shumëllojshëm, duke eliminuar tërësisht harxhimet rrjedhëse joproduktive. Rritja e pagave në administratën publike, pensioneve dhe transfereve sociale duhet maksimalisht të harmonizohet me rritjen e ekonomisë”, thonë nga instituti Fajnens Think.

Sipas analizave të tyre, stabilizimi i ambientit afarist, juridik dhe institucional në mënyrë shtesë do të përmirësojë rejtingun kreditor. Kjo do të ul edhe riskun e shtetit dhe do të ul edhe kamatat për huazimet në të ardhmen.

Nga Ministria e Financave thonë se në vitet e fundit po stabilizohet borxhi publik në kushte të zhvillimit ekonomik dhe investimit në infrastrukturën rrugore, ndërsa shtojnë se po rritet edhe llogaridhënia për lartësinë e borxhit. “Borxhi publik po rritet me arsye vetëm nëse shpenzohet në mënyrë cilësore, apo nëse kemi multiplifikim fiskal apo siç thotë Organizata Botërore e Tregtisë tregtare, një denar i investuar në infrastrukturë, do t’i kthejë 4 denarë në ekonomi”, thotë Nina Angellovska, ministre e Financave. Sipas saj, rritja e borxhit është e arsyeshme nëse financohen projektet kapitale që do të sjellin edhe kapacitete më konkurruese dhe më produktive të ekonomisë vendore, që në suaza afatgjate do të mundësojnë edhe kthimin më të lehtë të borxheve. Nga ky dikaster thonë se nëse në periudhën 2008 deri në vitin 2016 kishim rritje të borxhit nga 23 në 48.8 për qind si pjesë e PBB, në tre vitet e fundit kemi stabilizim të borxhit publik që ka arritur në 48.9 për qind të PBB-së, përkundër faktit se në këtë borxh është llogaritur edhe borxhi jo i garantuar. Stabilizimi vjen si rrjedhojë e shtrëngimit të borxhit publik dhe financimit të serishëm të borxheve të vjetra me kamata shumë më të ulëta, duke i falënderuar rritjes së besimit nga ana e kreditorëve.

Ndryshe, në ueb faqet e Ministrisë së Financave janë publikuar edhe projektet që kanë rritur borxhin në periudhën 2017-2019 si shuma prej 55 milionë euro për gazsjellësin, 120 milionë euro shtesë për autostradën Kërçovë-Ohër, 76 milionë euro për autostradën Milladinovci- Shtip, projektet për rrugët lokale dhe rajonale me 21 dhe 29 milionë euro, ndihmë për kompanitë e vogla dhe të mesme prej 44 milionë euro etj. Njëherësh është hyrë në borxh me 10 milionë euro për ndërtimin e sallave sportive, 12 milionë euro për instalimin e pagesës elektronike të autostradave etj. Në vitin 2020 do të hyjmë në borxh nga kreditorët e jashtëm prej 592 milionë euro, dhe tek ata vendorë në vlerë prej 447 milionë euro. Gjithashtu, sivjet do të kthehen edhe borxhet ndaj kreditorëve të jashtëm me vlerë prej 439 milionë euro, ndërsa do të kthehet edhe borxhi prej 265 milionë euro i kreditorëve vendorë./Koha/

Exit mobile version