Për momentin borxhi publik i Maqedonisë ka shënuar shifrën prej 4.7 miliardë euro, kurse çdo fëmijë që do të lind në të ardhmen do të lind me borxh prej 2274 euro. Kështu tregon analiza “Sa borxhi publik i Maqedonisë është i qëndrueshëm”, përgatitur nga Instituti për hulumtime ekonomike dhe politike “Finance Think”, shkruan gazeta KOHA.
Sipas kësaj analize, edhe pse niveli momental i borxhit publik është i qëndrueshëm, mirëpo hapësira më e madhe e huamarrjeve të reja është në fazën kritike. “Të gjitha analizat tregojnë se borxhi publik është i qëndrueshëm, në kufirin mes 41 deri në 48.7 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Çdo kufi që kalon midis 51 deri më 59.2 për qind të BPV-së, atëherë llogaritet se shteti është i stërngarkuar me borxhe”, deklaroi Teodora Anastasovska, autore e kësaj analize.
Se çdo borxh publik që kalon nivelin mbi 50 për qind të BPV-së paraqet rrezik, sipas Anastasovkës, këtë e vërtetojnë edhe rekomandime e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku i kërkohet Maqedonisë të bëjë kujdes dhe të stabilizon nivelin e borxhit publik nën 51 për qind. “Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi i shtetit për vitin 2016 kap shifrën prej 3.9 miliard euro, ose 39.1 për qind të BPV-së, ndërsa borxhi publik ka arritur shifrën prej 4.7 miliardë euro, ose 47.8 për qind nga BPV-ja. Pra, nëse u referohemi këtyre të dhënave zyrtare dhe kufirit të qëndrueshëm të borxhit publik prej 51 për qind, atëherë Maqedonia ka hapësirë të futet në borxhe të reja në vlerë prej 4 për qind nga BPV-ja, gjegjësisht jo më shumë se 32 milion euro deri në fund të këtij viti”, deklaroi Anastasovska.
Prandaj, kur kemi parasysh këto parametra të mundshme të borxhit publik të qëndrueshëm, ajo rekomandon që huamarrjet e ardhshme të Qeverisë së Maqedonisë të bëhen vetëm në tregun financiar, gjegjësisht tek bankat komerciale të vendit. “Meqë institucionet financiare ndërkombëtare, si FMN-ja, ku kamata janë shumë të volitshme, nuk i jep kredi Maqedonisë, ndërsa të futesh në kredi te institucionet e tjera të huaja financiare ku kamatat janë shumë të larta, atëherë më mirë për Maqedoninë do ishte që huamarrjet në të ardhmen t’i kërkojë nga bankat komerciale në vend, ku kamata janë më të ulëta”, deklaroi Anastasovska.
Blagica Petreski, drejtoreshë ekzekutive e “Finance Think”, u shpreh se gjatë 8 viteve të fundit Maqedonia i është nënshtruar një trendi të futjes së shpejtë në borxhe, duke ndikuar kështu që borxhi publik për 8 vite të dyfishohet. “Borxhi publik i Maqedonisë ka një tempo të përshpejtuar aq shumë këto 8 vitet e fundit dhe për një periudhë shumë të shkurtër u dyfishua. Ky trend i rritjes së borxhit publik është për shkak se qeveria fokusin kryesor nuk kishte te investimet produktive, por se si të mbulon harxhimet rrjedhëse të buxhetit.
Që Maqedonia të mbetet si shtet në kufirin e qëndrueshëm të borxhit publik, jo më shumë se 51 për qind nga BPV, është më se domosdoshme të ndërpriten shpenzimet për investime jo kapitale që kanë rrezik të lartë fiskal, ndërsa shpenzimet rrjedhëse, si rrogat e administratorëve, pensionistëve dhe ndihmat sociale, këto harxhime të jenë të harmonizuara me rritjen minimale ekonomike të vendit”, thotë Petreski.