Telegrafi

Borxhi i konsumatorëve rreth 15 milionë euro, “Termokosi” paralajmëron shkyçje masive

“Termokosi’ ditë më parë filloi sezonin e ngrohjes, por kjo ndërmarrje publike po përballet me problemin e arkëtimit të borxheve, nga konsumatorët.

Janë rreth 15 milionë euro që konsumatorët i kanë borxh ‘Termokosit’.

Drejtori i “Termokosit”, Arsim Fetahu, thotë se qytetarët nuk e shfrytëzuan Ligjin për falje të borxheve.

“Borxhet ndaj kompanisë janë diku rreth 15 milionë, por besoj me masat që jemi duke i ndërmarr që këtë borxh ta zvogëlojmë minimalisht. Borxhi kryesisht ka të bëjë për periudhën e projektit të koogjenerimit dhe një pjesë e qytetarëve, edhe pse kanë pasur mundësi nëpërmjet ligjit për faljen e borxhit, nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi dhe ato ka ngelur  dhe vazhdojnë të mbesin dhe me masat që do t’i marrim në këtë sezon dhe sezonin tjetër gjithçka do të rregullohet”, thotë ai.

Fetahu, në bisedë për Ekonomia Online, paralajmëron të gjithë borxhlinjtë që nëse nuk i shlyejnë obligimet ndaj kësaj ndërmarrjeje do të marrin masa, duke mos përjashtuar edhe shkyçjet masive.

“Patjetër që do të ketë shkyçje, por fillimisht do t’i dërgohen dy vërejtje. Pastaj do të dërgohet edhe lënda në përmbarues dhe gjithashtu të bëhet dhe ekzekutimi i shkyçjes fizike në ato vende ku ka mundësi. Ndërsa në ato vende ku nuk ka mundësi do të informojmë të gjithë banorët që kjo ndërtesë nuk është duke kryer obligimet dhe do të detyrohemi që ndoshta ta ndërprejmë gjithë objektin”, tha ai.

Fetahu bën të ditur se këtë vit në sistemin ngrohës janë kyçur për herë të parë disa objekte kolektive të reja në Kalabri.