Telegrafi

Borxhi i Shqipërisë 3.3 miliardë euro

Në fund të vitit, 2009, borxhi jashtëm bruto i vendit arriti në 3.3 miliardë euro, nga të cilat gjysma i përket qeverisë, ndërsa pjesa tjetër është borxh i marrë nga sektori privat. I shprehur ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, borxhi i jashtëm zë aktualisht 38.2 për qind të PBB-së. Edhe pse ky tregues quhet i qëndrueshëm për sa kohë është poshtë nivelit 50 për qind, shqetësimi lidhet me faktin se në Shqipëri ky tregues po shfaq rritje të vazhdueshme.

Vetëm në 6 vjet borxhi i jashtëm bruto u rrit ndaj Produktit Kombëtar me 13.1 për qind, duke kërcyer nga 25.1 për qind e PBB-së që ishte në vitin 2003 në 38.2 për qind në fund të vitit të kaluar.

Nëse borxhi i jashtëm do të vazhdoj të rritet me këto ritme, edhe gjatë viteve në vazhdim, shumë shpejt Shqipëria mund të afrohet kufijve kritik. Nëse pas viteve 2000 borxhi i jashtëm i vendit është rritur mesatarisht me 200 milionë euro në vit, në dy vitet e fundit të marrë së bashku ai u rrit me gati 1.3 miliardë euro.

Rritja e shpejtë e detyrimeve me jashtë është edhe një nga arsyet se pse banka e Shqipërisë, po hedh së fundmi idenë e një debati kombëtar për rishikimin e modelit ekonomik. /Tch/Telegrafi/