Telegrafi

Borxhi 300 milionë euro merret nga britanikët

Pikërisht ky filial ka fituar të drejtën e konsulencës për emetimin e eurobondit me vlerë deri në 350 milionë euro, tenderi i së cilës u zhvillua në javën e fundit të muajit shkurt, por që Ministria e Financave e publikoi këto ditë. Për këtë shërbim, shoqëria do të paguhet me rreth 135 mijë dollarë, nga 170 mijë që ishte vlera fillestare në tender, ndërsa kualifikimi i britanikëve të “White & Case” erdhi pas fazës së dytë.

Sakaq, Ministria e Financave ka mandatuar dy banka që do të udhëheqin eurobondin e parë shqiptar.

Ato janë amerikanët e “JP Morgan” dhe gjermanët e “Deutsche Bank”, kompanitë lider në tregjet financiare. Pas një procesi vlerësimi që kaloi në dy faza nga 15 banka pretendente, u përzgjodhën këto dy banka për emetimin e eurobondit në tregun ndërkombëtar të kapitaleve.

Ministria gjithashtu i ka kërkuar “Raifeissen Bank” të mbështes transaksionin, në rolin e mbështetësit (Co-Lead Manager). Ministria e Financave ka sqaruar dje se interesimi i institucioneve ndërkombëtare për këtë proces ka qenë i jashtëzakonshëm. Një numër befasues bankash (15 të tilla) me shumë reputacion në tregjet e kapitaleve, paraqitën ofertat e tyre shumë agresive për të udhëhequr transaksionin. Në fazën e dytë kaluan 6 banka (“JP Morgan”, “Deutsche”, “Raiffeisen”, “HSBC”, “BNP Paribas” dhe “Credit Suisse”), të cilat konkurruan me njëra-tjetrën përmes një testimi të zhvilluar në Ministrinë e Financave.