Telegrafi

Borxh nga katër banka për Rrëshen-Kalimashin

Nisur nga situata e vështirë financiare që po kalojnë bankat e huaja, qeveria pranoi që shuma të jepet e ndarë në dy këste dhe nga disa banka që do të përfaqësohen nga dy të parat. Ministria e Financave deklaroi dje zyrtarisht se, "kredia do të shpërndahet në dy transhe.

E para prej 95 milionë eurosh do të disbursohet brenda muajit maj dhe e dyta prej jo më tepër se 155 milionë eurosh, që do të agregohet nga sindikata e gjerë, do të shpërndahet brenda muajit qershor".

Po sipas ministrisë, e cila negocioi për qeverinë shqiptare, kredia merret për të financuar nevojat e buxhetit të shtetit për shpenzime kapitale për vitin 2009, duke përfshirë financimin e mbetur të rrugës Rrëshen-Kalimash, vlera e së cilës po prek majat e buxhetit, prej 800 milionë eurosh.

Ministria e drejtuar nga Ridvan Bode konfirmon faktin se, një numër i madh bankash të tjera, me aktivitet ndërkombëtar, por edhe lokal, kanë shprehur interes për t‘u përfshirë në sindikatën e gjerë që do të disbursohet në formën e një transhi të dytë.

"Ky zhvillim shumë pozitiv tregon edhe një herë besimin që institucionet financiare ndërkombëtare kanë në ekonominë tonë dhe në ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria", tha dje ministria. Gjithashtu, sipas saj, marrja e kësaj kredie do ta rrisë stabilitetin financiar në vend dhe do të zvogëlojë ndjeshëm nevojën e qeverisë për të financuar buxhetin nga tregu i brendshëm bankar.

Kushtet dhe interesat e kredisë nuk janë bërë të ditura për momentin nga ministria, por mendohet se nuk do të jenë më të larta se 7 për qind.