Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka kërkuar që të largohen barrikadat nga rruga në veri të Mitrovicës.
Në një konferencë për media, ai theksoi se BE-ja nuk mund t’i pranojë barrikadat që bllokojnë rrugët, e njerëz të armatosur.
““Incidentet e fundit konfirmojnë këtë spirale rënëse shqetësuese, goxha shqetësuese, në marrëdhëniet me pasojat e dëmshme të popullit të Kosovës, Serbisë dhe mbarë rajonit. Barrikadat që bllokojnë rrugët, njerëzit që enden në rrugë, nuk është diçka që do ta pranojmë. Ne nuk i pranojmë këto veprime që vijnë nga partnerët, njerëz që aspirojnë për një të ardhme evropiane. Kjo situatë duhet të marrë fund. Barrikadat duhet të hiqen. Duhet të rikthehet qetësia”, tha ai.
Po ashtu Borrell ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it në veri.
“Që nga gushti, jemi në një rreth vicioz të konfrontimeve, provokimeve dhe reagimeve, që kanë përshkallëzuar në ditët e fundit, dhe kanë provokuar incidente serioze të sigurisë, përfshirë edhe një sulm ndaj misionit tonë, EULEX-it dhe ndaj Policisë së Kosovës”, u shpreh më tej.
Borrell shton se BE-ja është e gatshme ta rris kapacitetin dhe ta forcojë EULEX-in nëse paraqitet nevoja.
“Këshilli qartë u ka bërë thirrje të dyja palëve për qetësi dhe frenim nga veprimet e dhunshme e provokative. I kam kërkuar shteteve anëtare që të jenë të gatshme të dërgojnë më tepër njësite në misionin tonë të EULEX-it. E shumë nga to janë pajtuar e kanë shprehur gatishmëri për të rritur kapacitetet nëse është e nevojshme”, deklaroi Borrell./Telegrafi/