Site icon Telegrafi

Borrell viziton sot Tiranën, priten takime me Ramën e Xhaçkën

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell pritet të zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë.

Sipas njoftimit për shtyp të Ambasadës së BE-së, Borrell do të takohet me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Pas takimit, Rama dhe Borrell do të mbajnë në orën 11.00 një një konferencë të përbashkët për mediet.

Përfaqësuesi i Lartë, Borrell do të takohet me përfaqësues të tjerë të autoriteteve shqiptare dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe do të vizitojë punimet e vazhdueshme restauruese në mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar, i rinovuar në kuadrin e BE-së për rimëkëmbjen pas tërmetit.

Borrell është në një turn vizitash në rajon, ku ditën e djeshme ishte në Maqedoninë e Veriut ku takua me presidentin Stevo Pendarovski, Ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, Ministren e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe përfaqësues të partive politike.

Vizita e Borell në Ballkan vazhdon të mërkurën në Sarajevë. /Telegrafi/

Exit mobile version