Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka përmendur arrestimin e ish-presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale, gjatë një fjalimi të tij në Forumin për Drejtat e Njeriut me temën “Ndaloni mosndëshkimin – Rruga drejt llogaridhënies dhe drejtësisë”.
Duke folur për mekanizmat që po krijon BE-ja për zgjidhje të post-konflikteve në vende të ndryshme, ai përmendi edhe Kosovën dhe Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Ne po krijojmë mekanizma të veçantë për zgjidhjet post-konfliktit dhe këtu dua të përmend Kosovën, Dhomat e Specializuara të Kosovës. Misioni ynë policor në Kosovës (EULEX) ishte i ngarkuar për ta arrestuar derisa ai ishte president dhe e dërguan atë në Amsterdam për t’u përballur me drejtësinë”, tha ai.
Ndryshe, ish presidenti Hashim Thaçi po qëndron në paraburgim në Hagë (jo në Amsterdam) prej nëntorit të vitit 2020. Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë. /Telegrafi/
🔴 LIVE I Keynote speech by HR/VP @JosepBorrellF at the EU-NGO Forum 2022#EUNGOForum #EU4HumanRights https://t.co/Gv8RbwssaJ
— European External Action Service – EEAS 🇪🇺 (@eu_eeas) December 14, 2022