Telegrafi

Borrell: Ne duhet të shmangim ndërhyrjen e Rusisë në çështjet e Ballkanit Perëndimor

“Ne duhet të shmangim ndërhyrjen e Rusisë në çështjet e Ballkanit Perëndimor”.

Kjo është thirrja që ka bërë së fundmi përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell.

“Në Berlin ne diskutuam për situatën në Ballkanin Perëndimor. Dhe unë mendoj se ka dy fjalë që tregojnë se çfarë duhet të ndodhë në Ballkanin Perëndimor: Qëndrueshmëri dhe bashkërendim”, ka thënë fillimisht Borell, përcjell Telegrafi.

Dhe më pas ai ka shtuar: “Ne nuk duhet t’i japim asnjë justifikim ndërhyrjes së Rusisë në jetën politike dhe ekonomike të Ballkanit Perëndimor, sepse e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është e ankoruar në Bashkimin Evropian”.

“Pra, le të punojmë për të rritur qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor si nga pikëpamja ekonomike, stabiliteti politik dhe qëndrueshmëria ndaj dezinformatave, sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve hibride. Së dyti, të punohet me ta për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës dhe për të ndërtuar pajtimin mes tyre”, ka thënë më tej ai.

Ndërsa duke folur për situatën në Ukrainë ai ka shtuar se duhet të vazhdohet me zbatimin e sanksioneve kundër ekonomisë ruse.

“Ne duhet të mbështesim ushtrinë e Ukrainës, siç po bëjmë. Bashkimi Evropian ka ndarë tashmë 22 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën – 22 miliardë euro. Dhe nuk po llogaris në këtë shifër mbështetjen ushtarake të ofruar në mënyrë dypalëshe nga shtetet anëtare”, ka thënë ndër tjerash Borrell. /Telegrafi/