Përfaqësuesi i Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell Fontelles tha sot pas takimit me presidentin Hashim Thaçi se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor.
Borrell theksoi se BE-ja dëshiron stabilitet dhe siguri për gjithsecilin, ndërsa në procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi është vetëm ndërmjetësuese dhe se marrëveshja mund të arrihet vetëm me pajtimin e dy vendeve.
“…Stabiliteti në rajon është edhe në interesin tonë… Nuk mund t’ia lejojmë vetes që ta kemi Ballkanin të ndarë…”, tha ai.
Borell ka folur edhe për proceset e brendshme të Kosovës.
“…Kosovarët janë njerëz të lirë të vendosin për fatin e vet dhe kjo është çështje e tyre dhe jo të bisedojnë me ne për qeverinë e tyre. Dua të shohim që të krijohet një qeveri sa më shpejtë që është e mundur. Jam shumë i lumtur që presidenti tha se do të kryhet shpejt…”, tha ai.
Ndërkaq, sa i përket SHBA-së dhe të emisarit të tyre, Richard Grenell, Borell tha se nuk janë në garë me të.
Sipas tij, Kosova është një temë e rëndësishme për BE-në, prandaj edhe ka investuar miliarda euro. /Telegrafi/