Zyrtarët nga Kosova dhe Serbia theksuan se i japin përparësi të lartë integrimit evropian dhe dialogut, thotë shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tha se pjesë e dokumentit të nënshkruar nga përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës në Uashington në fillim të shtatorit, “bazohet në angazhimet e mëparshme të bëra nga të dy palët në dialog” dhe mund të japin një “kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme”, raporton aljazeera.
Duke iu përgjigjur një pyetje me shkrim të eurodeputetëve mbi marrëdhëniet e politikës BE-SHBA, dialogun Serbi-Kosovë, por edhe mbi “pavarësinë e zërit të BE-së në Ballkan”, Borrell theksoi se si presidenti serb, ashtu edhe kryeministri i Kosovës, gjatë vizitave të fundit në Bruksel, kanë theksuar se i japin përparësi integrimit evropian dhe dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, transmeton Telegrafi.
“Dialogu i sponsorizuar nga BE është një element kryesor i rrugëve të tyre evropiane”, shtoi ai.
Në përgjigje të një pyetje parlamentare, Borrell shtoi se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë zotuar të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar harmonizimin e mëtejshëm me BE-në në përputhje me angazhimet.
Ndryshe, me ftesë të Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, i prirë nga Koordinatori Shtetëror, Skender Hyseni, ka udhëtuar të mërkurën për në Bruksel, ndërsa sot pritet të zhvillohet takimi i radhës me delegacionin nga Serbia. /Telegrafi/