Disa propozime për parandalimin e ndotjes së ajrit në Komunën e Prishtinës i ka dhënë asamblisti nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR), Sami Boroci.
Ai në profilin e tij në Facebook ka shkruar se në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës të mbajtur sot Boroci ka theksuar se për të parandaluar ndotjen në kryeqytet atëherë duhet që të rritet zgjerimi i rrjetit të Termokos-it, të ketë shtigje për biçikleta si dhe të ketë bashkëpunim mes institucionet e nivelit qendror.
“Disa prej propozimeve se si duhet t’i qasemi problemit përfshijnë; zgjerimin e rrjetit të Termokos, trafikun urban, shtigjet për biçikleta dhe bashkëpunimin me institucionet e nivelit qendror për sektorë që përfshijnë kompetenca të ndërvarura”, ka shkruar ai.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës duhet të ketë komponentën mjedisore përmes krijimit të dikasterit të veçantë që trajton problemet e fushës.
“Idea e drejtorisë së Parqeve, e përmendur edhe më parë duhet shtyrë përpara drejt konsolidimit pa humbur kohë por e modifikuar me karakter më gjithëpërfshirës në drejtori të Ambientit”, ka shtuar Boroci. /Telegrafi/