Kryeministri britanik Boris Johnson nuk do të marrë pjesë në funeralin e Dukës së Edinburgut – i cili do të mbahet të shtunën e ardhshme – për shkak të masave kufizuese të coronavirusit, dhe në mënyrë që të lejojë “pjesëmarrjen e sa më shumë anëtarëve të familjes”.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, vetëm 30 persona – që pritet të jenë fëmijët e Dukës, nipërit e mbesat dhe anëtarë të tjerë të familjes së ngushtë – mund të marrin pjesë në funeral, në “Kishën Saint George” të Windsor.
Lidhur me këtë rast edhe publikut iu është kërkuar që t’i qëndrojë larg kësaj ngjarje.
Ndryshe, Princi Filip, dhe njëherësh Duka i Edinburgut, vdiq të premten në moshën 99-vjeçare.
Ai ishte martuar me Princeshën Elizabetë në vitin 1947, pesë vjet para se kjo e fundit të bëhej Mbretëreshë. /Telegrafi/