Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson dhe e dashura e tij, Carrie Simonds janë zhvendosur për të jetuar në pallatin e vendosur në 10 Downing Street.
Duke vepruar kështu, 55-vjeçari u bë Kryeministri i parë britanik në histori që po jeton me një partner të pamartuar në një rezidencë kryeministrore, raporton CNN.
Në publik ka pasur spekulime nëse Simonds, e cila është bërë shpejt një temë kryesore e tabloidëve britanik, do t’i bashkohet Johnsonit në Downing Street. Kabineti i biondit javën e kaluar tha se nuk dihet ende nëse çifti do të jetonte së bashku.
Johnson ende nuk është shkurorëzuar zyrtarisht me gruan e dytë, Marine Wheeler, me të cilën ka katër fëmijë. Shkurorëzimin e kanë njoftuar në shtator të vitit të kaluar, pas 25 vjet martesë, shumë kohë pasi u konfirmua lidhja e Johnsonit me Carrien.
Interesi i publikut për Johnson dhe Simonds u rrit pasi fqinjët thirrën policinë për një grindje në shtëpinë e saj, ku çifti po qëndronte.
Pas fitores bindëse të politikanit në zgjedhjet brenda partisë Konservatore, Simonds u pa në 10 Downing Street 10 gjatë fjalimit të tij të parë si kryeministër.
Ajo gjithashtu ka pasur një karrierë të suksesshme politike. Bukuroshja ishte pjesë e ekipit që bëri fushatë për rizgjedhjen e Johnsonit për kryetarin e Londrës në vitin 2012.
Simonds, në moshën 29 vjeç, u bë drejtoresha më e re e komunikimit në historinë konservatore dhe analistët thonë se roli i saj ishte i rëndësishëm në jetën e Johnsonit. /Telegrafi/