Site icon Telegrafi

Boris Johnson e vlerëson të drejtë vendimin që Chelsea dhe Man City të largohen nga Superliga Evropiane

Kryeministri Boris Johnson ka lavdëruar Chelsea dhe Manchester City që po punojnë për largim nga Superliga Evropiane.

Kryeministri ka thënë se kjo dyshe ka marrë “vendim plotësisht të drejtë” dhe u bëri thirrje edhe katër klubeve angleze të mbetura të ndjekin shembullin e tyre.

Superliga Evropiane duket se do të shkatërrohet me kthesën dramatike të Chelseat dhe Man Cityt, ndërsa Arsenali duket i vendosur që të ndjekë këtë shembull.

Kryeministri kishte sinjalizuar gatishmërinë e tij për të sjellë një legjislacion të ri për të bllokuar lëvizjen e klubeve drejt asaj lige.

“Vendimi nga Chelsea dhe Manchester City është – nëse konfirmohet – absolutisht i duhuri dhe i përgëzoj për këtë”.

“Shpresoj që klubet e tjera të përfshira në Superligën Evropiane do të ndjekin shembullin e tyre”, ka shkruar ai.

Besohet gjithashtu se Atletico Madrid është tërhequr, ndërsa Barcelona ka thënë se ata do t’ua paraqesin propozimin tifozëve të tyre përpara se të vendosin. /Telegrafi/

Exit mobile version