Telegrafi

Boris dhe Carrie Johnson presin fëmijën e dytë së bashku dhe të shtatin për kryeministrin

(Foto: The Telegraph)

Gruaja e kryeministrit britanik Boris Johnson, Carrie, ka njoftuar se është shtatzënë dhe pret fëmijën e dytë të çiftit. Përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram, ka treguar se do të bëhen prindër në fund të vitit.

Çifti që u martua në një ceremoni të fshehtë në Katedralen Westminster dy muaj më parë, mirëpritën fëmijën e tyre të parë më 29 prill të vitit 2020. Djali u pagëzua me emrin Wilfred Lavry Nicholas Johnson, në nder të mjekëve që shpëtuan kryeministrin nga COVID-19.

Njëherësh, 33-vjeçarja ka rrëfyer se ka pasur një abort këtë vit dhe se ishte zemërthyer.

(Foto: Sky News)

“Ndihem jashtëzakonisht e bekuar që jam përsëri shtatzënë, por gjithashtu ndjehem si një thes nervash. Çështja e pjellorisë mund të jetë vërtet e vështirë për shumë njerëz, veçanërisht kur në platforma si Instagram mund të duket se gjithçka po shkon mirë”, ka theksuar ajo.

Johnson ka pas vetes dy martesa të dështuara. Ai nuk kishte fëmijë nga martesa me Allegra Mostyn-Owen (1987-1993). Nga martesa me Marina Wheeler ka katër fëmijë. Në vitin 2009, ai kishte një fëmijë jashtëmartesor me Helen McIntyre. Vite të tëra luftimesh juridike pasuan për ta fshehur atë informacion nga syri i publikut. Sidoqoftë, Gjykata e Apelit arriti në përfundimin në vitin 2013 se opinioni ka të drejtë të informohet për këtë, sepse Boris është një personazh publik.

Duke llogaritur edhe fëmijën e parë me Carrie, ky do të ishte fëmija i shtatë që pret kryeministri britanik. /Telegrafi/