Telegrafi

Borhesi për Zotin

Jorge Luis Borges

Pjesë nga një intervistë me Borhesin (Jorge Luis Borges)
Përktheu: Bajram Karabolli

Pyetje: A beson te Zoti?

Borhes: Nëse me Zotin nënkuptohet një personalitet unitar ose trinitar, një lloj njeriu i mbinatyrshëm, një gjykatës i veprimeve dhe mendimeve tona, unë nuk besoj në atë qenie. Nga ana tjetër, nëse me Zotin kuptojmë një qëllim moral ose mendor në univers, sigurisht që besoj në Të. Për sa i përket problemit të pavdekësisë personale që Unamuno dhe shkrimtarë të tjerë e kanë lidhur me nocionin e Zotit, nuk besoj, as nuk dëshiroj që të jem i pavdekshëm.

Që ka një rregull në univers, një sistem periodicitetesh dhe një evolucion të përgjithshëm, më duket e qartë. Po ashtu, për mua, jo më pak e pamohueshme është ekzistenca e një ligji moral, e një ndjenje intime të të bërit mirë ose keq në çdo rast.

Pyetje: Mos vallë, doni të thoni se me të gjitha këto, në thelb, kuptohet dhe vërtetohet ekzistenca e Zotit dhe se Ai është krijuesi, fillimi dhe fundi i gjërave?

Borhes: Nuk e di nëse Zoti është në fillim të procesit kozmik, por ndoshta ai është në fund. Zoti është ndoshta diçka drejt së cilës universi priret.

Pyetje: Pse beson në Zotin në këtë mënyrë?

Borhes: Sepse ashtu më thotë intuita dhe se, po të mos besoja, do të ishte dëshpëruese. Nëse supozojmë se ekziston një qenie e përsosur dhe e gjithëfuqishme që është në fillim të historisë universale dhe që krijoi botën, atëherë nuk e kuptojmë pse ekziston dhimbja apo e keqja. Nga ana tjetër, nëse supozojmë një Zot që krijohet përmes procesit kozmik ose përmes fateve tona personale, në atë formë të vetme mund të besojmë në Të, pra si një kanal evolucioni drejt përsosmërisë.

Pyetje: Dhe si e zbatoni besimin tuaj në jetën e përditshme praktike?

Borhes: Përpiqem ta zbatoj. Brenda jetës ku jam i kushtëzuar, bëj maksimumin. Për më tepër, në fund të fundit, ambiciet e mia nuk kërkojnë më shumë nga çfarë mund të më japë procesi natyror i evolucionit tim. Përpiqem të jem njeri i drejtë, por jo gjithmonë ia dal.