Telegrafi

Borell: BE-ja frikësohet se në konfliktin e Nagorni-Karabakut do të hyjnë edhe aktorë të tjerë

Bashkimi Evropian po i frikësohet ndërkombëtarizimit të konfliktit në rajonin e Nagorni-Karabakut me përfshirjen e Turqisë dhe Rusisë, tha sot Ministri i Jashtëm Evropian, Josep Borrell.

“Hyrja e aktorëve rajonalë në konflikt nuk mund të përjashtohet. Ndërhyrja e huaj duhet të parandalohet”, tha Borell në një fjalim në Parlamentin Evropian në Bruksel, duke përmendur Rusinë dhe Turqinë.

Në enklavën armene të Nagorni-Karabakut, luftime të forta kanë vazhduar midis forcave armene dhe azerbajxhanase që nga 27 shtatori, transmeton Telegrafi.

Borrell tha se pozicioni i BE-së është i qartë, se luftimet duhet të ndalen.

“Të dy palët duhet të bashkohen përsëri me negociatat, pa parakushte nën kujdesin e bashkë-kryetarëve të Grupit të Minskut të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë”, tha spanjolli, duke theksuar se nuk mund të kishte zgjidhje ushtarake të konfliktit ose ndërhyrje të jashtme. Ai u bëri thirrje palëve në konflikt të respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare për të mbrojtur popullsinë civile.

Lexo po ashtu Foreign Policy: Turqia dërgoj 1,500 luftëtarë sirianë në Azerbajxhan

Turqia mbështet Azerbajxhanin dhe organizoi manovra të mëdha ushtarake të përbashkëta me forcat azerbajxhanase në fillim të gushtit, disa javë para fillimit të armiqësive rreth Nagorni-Karabakut.

Rusia ka marrëdhënie të mira me të dyja palët ndërluftuese, të cilat i furnizon me armë, por është më afër Armenisë, e cila është në një aleancë ushtarake me Moskën. /Telegrafi/