Telegrafi

Borea merr fitoren e parë në Superligën e basketbollit, mposht Lipjanin

Klubi basketbollistik pejan, Borea ka shënuar fitore ndaj Lipjanit me rezultat 87-83.

Borea ka arritur të marrë fitoren e parë në Superligën e Kosovës në basketboll duke fituar ndaj Lipjanit në ndeshjen e vlefshme për javën e katërt.

Klubi pejan arriti të fitojë këtë ndeshje me rezultat të ngushtë, por me shumë meritë pasi arriti të dominojë çerekun e katërt.

Çereku i parë i ndeshjes ishte thuajse i barabartë, por në fund u fitua nga vendasit me dy pikë epërsi 18-16.

Lipjani ishte më i mirë edhe në çerekun e dytë duke fituar me tri pikë diferencë 20-17 dhe duke shkuar në pushim me rezultat 38-33.

Edhe çereku i tretë foli në të mirë të vendasve të cilët e fituan me rezultat 31-25 dhe këtu pritej fitorja e tyre.

Por, kështu nuk menduan edhe basketbollistët e Boreas, të cilët u ngjallën në çerekun e katërt duke fituar thellë 29-14 dhe duke arritur fitore në fund 87-83.

Lojtarët më të dalluar të Borea ishin Shpend Gashi me 24 pikë e 6 asistime dhe Blend Kadusha me 20 pikë, 7 kërcime e 5 asistime, ndërsa te Lipjani spikati Stancey Lambert me 21 pikë e 11 kërcime. /Telegrafi/