Njëra nga qendrat turistike më të mëdha në rajon, ka filluar hapat e parë të jetësimit të saj. Emrin e hyjneshës ilire “Borea”, e mban projekti i Qendrës rekreative dhe Teleferikut në Bjeshkët e Kopranikut, në qytetin e Pejës.
Ëndrra e kahmotshe e qytetarëve dhe e institucioneve komunale, e përfolur shumë në periudhën e pasluftës, ndërtimi i një teleferiku në Bjeshkët e Kopranikut – po merr formë dhe po ngjallë entuziazëm të jashtëzakonshëm te pejanët.
Derisa ditë më parë është miratuar ndërtimi i Qendrës së Skijimit më të madhe në rajon, Komuna e Pejës si shtytësja kryesore e këtij projekti, me 29 gusht ka organizuar një konferencë investitorësh në të cilën pritet që të prezantohet para investitorëve vendor dhe korit diplomatik të akredituar në Kosovë, rruga ligjore nëpër të cilin ka kaluar kjo qendër.
Telegrafi merr vesh se Komuna e Pejës, përmes kësaj konference po synon që projekti më i madh që pritet ta realizoi Peja ndonjëherë, të jetë së pari në duart e biznesmenëve vendor.
Ndonëse qendra “Borea” arrin vlerën deri në 60 milionë euro, në këtë prezantim janë ftuar agjencitë që merren më zhvillimin ekonomik dhe stafi diplomatik, ku këta të fundit do t’i njoftojnë kompanitë e vendeve përkatëse, të cilat kanë përvojë dhe kapacitete për ta bërë Pejën më këtë projekt, në rast se biznesi vendor nuk arrin të investojë një shumë të tillë.
Për ta fuqizuar edhe më tepër këtë konferencë pjesë e saj do të jetë edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i Financave Avdullah Hoti.
Pozicioni gjeografik do të bëjë “Borean”, që te jetë qendra me e mirë se të gjitha qendrat tjera ekzistuese në vendet e ish-Jugosllavisë, sepse ndër të tjera ka lartësinë mbidetare prej 2480 metrash.
Kjo qendër për shkak të lartësisë mbidetare dhe qëndrueshmëria dhe kualiteti i borës, e bën këtë qendër që të jetë e veçantë dhe e shfrytëzueshme për të katër stinët e vitit.
Ndërtimi i fazës së parë përfshinë ndërtimin e kabinave të teleferikut deri në lartësi 1 mijë e 600 metrash, ku pritet të kushtojë rreth 27 milionë euro. Në këtë fazë do të funksionalizohet skilifti, në të cilin mund t’i bartë 6 persona.
Ndërsa në fazën e dytë do të ndërtohen edhe dy skilifta tjerë, duke iu ofruar vizitorëve lëvizjen me tre skilifta – që gjë tu shërbejë të interesuarve për skijim.
Kjo qendër sipas projeksioneve të bërë do të jetë katalizator i zhvillimit ekonomik të qytetit perëndimor, sepse parashihet që deri në 14 mijë persona të kenë mundësi të skijojnë gjatë dimrit.
Më këtë rast plani i komunës është që Peja të kthehet në njërën nga qendrat kryesore turistike në rajon.
Interesim për të jetësuar “Borean” kanë treguar kompani prej vendeve të ndryshme, siç janë Austria, Franca, Zvicra,Turqia, etj.
Komuna e Pejës, respektivisht i pari i këtij qyteti, Gazmend Muhaxheri, pati paralajmëruar para shumë kohësh, se synojnë që kjo qendër planifikohet të ndërtohet nëpërmjet Partneritetit – Publiko – Privat (PPP).
Ndryshe, pejanët qysh prej viteve të 70-ta, kur garniture e atëhershme komunale e pari proklamuar ndërtimin e një teleferiku të përmasave të mëdha, kanë pritur një ditë të realizohet kjo ëndërr. /Telegrafi/