Telegrafi

Borë në Durrës pas shtatë vitesh

Në qytetin bregdetar të Durrësit kanë nisur reshjet e para të borës. Temperaturat e ulëta si rrallë ndonjëherë kanë bërë që durrsakët t`i gëzohen reshjeve të borës pas 7 vitesh.

Megjithëse në Veri e Jug reshjet kanë shkaktuar probleme duke bllokuar rrugë e fshatra, durrsakët po i gëzohen këtij fenomeni dhe shpresojnë që bora të ketë ngjitur deri nesër. Emergjencat Civile më herët paralajmëruan se temperaturat do të shkojnë deri në -20 gradë, ndërsa reshjet e dëborës do të zbresin deri në lartësinë 200 metra dhe mundet të prekin edhe zonën bregdet.

Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi deklaroi sot se aktualisht 1/3 e vendit është e zbardhur. Ai bëri me dije se situata në vend po monitorohet, ndërsa nuk ka raste të rënda dhe se akset në gjithë vendin janë të kalueshme me zinxhirë.

Prençi paralajmëroi se, “në tre ditët e ardhshme do të ketë ulje të temperaturave deri në – 20 gradë, ku edhe Shqipëria e mesme do të ketë ngrica”, raportojnë mediat në Shqipëri.