Bazuar informacionit të dërguar nga Instituti i Gjeoshkencës (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU), ditën e diel priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet: Vlorë dhe Gjirokastër, reshje intensive në qarqet Dibër, Durrës, Tiranë dhe Korçë, reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet e tjerë.
Reshjet e dëborës pritet të përfshijnë zonat Veriore, Verilindore dhe Juglindore të territorit në lartësitë mbi 300 m nga niveli i detit. Reshjet e borës, të pasuara nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor.
Reshjet pritet të shoqërohen me shtrëngata në të gjitha qarqet.
Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve, për momente të shkurtra, mund të krijojnë probleme të ndryshme si dhe vërshime të ujit në zonat urbane, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
* në bregdet: 4 / 14 °C ;
* në vendet e ulëta: 5 / 13 °C ;
* në vendet malore: -4 / 8 °C
Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet deri e fortë. /tch/