Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha sot se Qeveria Kurti me përpikëri po e zbaton manualin e një qeverie me prirje autoritare dhe ka për qëllim kontrollimin e vullnetit politik, mediave dhe të opinionit publik.
Hoxhaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se mashtrimet politike në mungesë të një programi të mirëfilltë qeverisës dhe autoritarizmi, janë e vetmja metodë të cilën ata e njohin.
Lexoni të plotë postimin:
“Qeveritë me prirje autoritare synim dhe qëllim kanë kontrollimin e vullnetit politik, mediave dhe të opinionit publik. Fatkeqësisht, këtë manual po e zbaton me përpikëri Qeveria Kurti II.
Edhe pse e dalë nga një proces zgjedhor demokratik dhe shembull për rajonin, puna e parë që bëri Albin Kurti ishte nxitja e shkarkimit të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.
Sot, ai shkarkoi edhe bordin e RTK-së, duke i dhënë edhe një goditje tjetër medias dhe fjalës së lirë në vend.
Atë që e kemi paralajmëruar si PDK edhe po ndodhë, dy gjëra do ta karakterizojnë këtë Qeveri: Mashtrimet politike në mungesë të një programi të mirëfilltë qeverisës dhe autoritarizmi, si e vetmja metodë të cilën ata e njohin”. /Telegrafi/