Telegrafi

Bordi i Trustit vendosi për kompensimin e humbjeve

Si pasojë e krizës ekonomike globale mjetet e trustit, të investuara në tregjet ndërkombëtare, janë zhvlerësuar rreth 29 për qind. Por, gjërat kanë filluar të lëvizin në drejtim të mbarë dhe gjatë muajit mars dhe prill të këtij viti ka pasur rritje rreth 7 për qind të vlerës së aksioneve. Kështu njoftoi kryetari i Bordit drejtues, Besim Beqaj.

Në mbledhjen e tij të parë, bordi ka marrë vendim për tërheqjen në Kosovë të një fondi prej rreth 11.8 milionë eurove të investuara në tregun e jashtëm devizor, apo 5.4 për qind. Sipas kryetarit Beqaj, Bordi drejtues i TKPK do të rishikojë strategjinë e investimeve të trustit në të ardhmen.

Beqaj njoftoi se bordi ka vendosur të kompensojë të gjithë kontribuuesit e pensionuar që kanë tërhequr mjetet e tyre me humbje. Sipas tij ky kompensim do të bëhet nga fondi i krijuar përmes zvogëlimit të shpenzimeve operacionale të trustit.

Bordi i ri i trustit, ka marrë vendim që të rishpallë tender për mjetet e grumbulluara në Bankën Qendrore, që janë rreth 60 milionë euro dhe ato të investohen në tregun bankar të vendit. Por, megjithëse është përfolur shumë për pagat e larta të drejtuesve të trustit, ende nuk është marrë vendim rreth tyre.

Gjatë takimit treditor, Bordi ka zhvilluar takime me ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shalën, Guvernatorin e BQK-së, Hashim Rexhepin dhe përfaqësuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Edgaro Rugjeron.