Telegrafi

Bordi i KEK-ut shprehet kundër vazhdimit të kontratës me RTK-në

Pasi ka dëgjuar informacionet dhe shqetësimet e Bordit të KEK-ut rreth këtij parapagimi, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se duhet të shikohen alternativa të cilat parasëgjithash duhet të jenë të pranueshme për qytetarët e Kosovës.

“Jam për një zgjedhje të qëndrueshme, por shqetësimin tuaj ju duhet ta drejtoni edhe në qeveri. Nëse nuk ka asnjë alternativë tjetër, atëherë duhet të mendojmë që financimi i RTK-së të bëhet nga buxheti i Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi.

Anëtarët e Bordit të KEK-ut nga ana e tyre shfaqën shqetësimet për humbjet që pëson KEK-u nga arkëtimi për RTK-në. Sipas tyre, përfshirja e tarifës së RTK-së ka pasur efekt negativ në arkëtimin e KEK-ut në vlerë prej përafërsisht 2.5 milionë euro në vit. Ata thanë se RTK nuk mbulon tërë territorin e Kosovës, dhe konsumatorët e KEK-ut janë të irrituar që duhet ta paguajnë taksën për RTK-në në vlerë prej 3.5 euro në muaj.

Gjithashtu, sipas KEK-ut, për konsumatorët me burime të kufizuara financiare, tarifa e RTK-së është duke e marrë pjesën e cila do të duhej të paguhej për energjinë elektrike.

Anëtarët e Bordit të KEK-ut thanë se Qeveria e Kosovës ka vendosur ta privatizojë Distribucionin e KEK-ut, dhe shqetësim të madh paraqet çështja e efektit që do të mund të kishte agjenti arkëtues i RTK-së rreth mundësisë së shitjes së Distribucionit të KEK-ut dhe çmimit që investitori do të jetë i interesuar të paguajë, duke marrë parasysh efektin negativ në biznesin e KEK-ut.

Marrëveshja aktuale e lidhur ndërmjet KEK-ut dhe RTK-së skadon në nëntor 2009, dhe sipas Bordit, KEK-u nuk ka qëllim të pajtohet për vazhdimin e kontratës ekzistuese ose që të lidhë kontratë të re me RTK-së, njofton Zyra për marrëdhënie me media dhe publikime pranë Kuvendit të Kosovës. /rtklive/