Telegrafi

Bordi i FMN miratoi 3.6 mln $ për Shqipërinë

Lajmi bëhet i ditur për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet zyrtare të Ministrisë së Financave.

Sipas tyre, rishikimi i gjashtë përfundoi në Dhjetor të 2008 nga stafi i FMN, i cili konfirmoi kalimin e Shqipërisë nga një vend me të ardhura të ulta në një stad të ri të vendeve me të ardhura mesatare.

Zv/drejtori i FMN, Murilo Portugal, i cili kryesoi mbledhjen e Bordit Ekzekutiv, u shpreh se: “Autoritetet Shqiptare duhet të përgëzohen për performancën shumë të mirë gjatë programit të mbështetur nga FMN.

Zbatimi i politikave të mira ekonomike dhe progresi në reformat strukturore kanë bërë të mundur që Shqipëria të ruajë rritje të lartë ekonomike dhe të mbajë një nivel të ulët inflacioni.”

Marrëveshja trevjeçare u nënshkrua në Shkurt të vitit 2006 me të drejtën për të përfituar deri në 25.4 milion dollarë amerikan.

Kjo marrëveshje, ndër të tjera, ishte formuluar me qëllim që të mbështeste rritjen ekonomike, të forconte aftësinë paguese të qeverisë, e të zhvillonte më tej sistemin financiar.