Telegrafi

Bordi i AKP-së me vetëm tre anëtarë

Shumë vendime ka marrë Bordi i drejtorëve të AKP-së në mbledhjen e fundit, duke shfrytëzuar kështu për herë të fundit prezencën e dy anëtarëve ndërkombëtarë. E që tani e tutje mbetet me vetëm tre vendorë, ngase për dy anëtarët ndërkombëtarë ishte mbledhja e fundit, meqë kanë përfunduar mandatin më 31 gusht.

Bordi i AKP-së aprovoi qiradhënien për disa pompa të benzinës nën administrim të AKP-së, miratoi raportin e Komisionit për përcaktimin e statusit të disa Ndërmarrjeve shoqërore, miratoi Kornizën Rregullativ për shqyrtimin e ndërtimeve jo ligjore në pronat e ndërmarrjeve shoqërore dhe Rregullat e Punës (të Komisionit për shqyrtimin e ndërtimeve jo ligjore) dhe Planin e Veprimit (për punën e Komisionit), e gjithashtu miratoi rregulloren e AKP-së për qiradhënie dhe miratoi qiradhënien sezonale të pronave/tokave të NSH-ve.

Sipas një njoftimi për median gjatë këtij takimi Bordi shqyrtoi situatën dhe zhvillimet e fundit në Trepçë Ndërmarrje nën administrim të AKP-së rreth vlerësimit të performancës së Menaxherit të Trepçës dhe përgatitjes së procedurave të tenderimit për ofruesin e shërbimeve profesionale për riorganizimin e Trepçës.

Madje ky Bord aprovoi transaksionet nga Shitjet e Aseteve përmes Likuidimit nr.26.

Bordi i AKP-së shqyrtoi raportin e auditorit të jashtëm për Ndërmarrjen e Re Jugoterm SH.P.K lidhur me përmbushjen e investimeve sipas marrëveshjes së zotimeve dhe mori vendim për lirimin e saj nga monitorimi duke marrë parasysh përmbushjen e kënaqshme të zotimeve dhe afarizimin tejet të suksesshëm të kësaj Ndërmarrje.

Bordi miratoi listën e aseteve dhe depozitave për Shitjen e Aseteve ne Likuidim 28.

Bordi diskutoi kërkesën e Komunës së Gjakovës për qiramarrje afatgjatë të NSH Metaliku dhe NSH Virgjinia dhe autorizoi që të diskutoj me Komunën e Gjakovës për kërkesën e tyre dhe të informoj Bordin në takimin e radhës pas kompletimit lidhur me mundësit ligjore për realizimin e kërkesës .

Gjithashtu Bordi i AKP-së aprovoi kërkesën e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor lidhur me transferimin e parcelave të Ndërmarrjes Shoqërore NSH “Bujqësia” për nevojat e ngritjes së fabrikës së ujit në fshatin Shkabaj në Obiliq, i cili është projekt i kategorizuar si projekt i rëndësisë publike për furnizimin me ujë në rajonin e Prishtinës të cilat i mbulon përgjegjësia e Kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”.

Bordi gjithashtu pranoi informatën lidhur me përmbushjen e obligimeve kushteve kontraktuale të Ndërmarrjeve të Reja me Spin of Special, për ndërmarrjen MIM Golesh, pas dështimit të blerësit në përmbushjen e marrëveshjes për investime dhe punësim, Bordi i AKP-së mori vendim për tërheqjen e aksioneve dhe vendosjen e sajë nën administrim direkt të AKP-së.

Lidhur me ndërmarrjen Agrokosova Holding , Bordi u informua me gjendjen e Spin of Special dhe kërkesën nga blerësi për vazhdimin e afatit të përmbushjes së investimeve , duke marrë parasysh faktet relevante nga vendimi gjyqësor i paraqitur në bord lidhur me të drejtat e aksionarëve , bordi aprovoi vazhdimin e periudhës së përmbushjes së investimeve deri më 31 dhjetor 2014.

Bordi vendosi në likuidim edhe 14 Ndërmarrje Shoqërore ku numri i Ndërmarrjeve Shoqërore në likuidim tani është 461 ndërmarrje.

Agjencia gjatë kësaj mbledhje shqyrtoi edhe një mori çështjesh të ndërlidhura me mandatin e saj ligjor. /Telegrafi/