Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka marr një vendim të ri gjatë ditës së sotme (e premte) shkaku i përhapjes së coronavirusit.
FBK duke iu referuar Vendimit të Qeverisë së Kosovës të marrë në mbledhjen e së mërkurës ka njoftuar të gjithë anëtarët e saj, klubet e Superligës së Kosovës, Superligës së Femrave, Ligës së Parë të Meshkujve, Ligës së Parë të Femrave, Ligës së Dytë të Meshkujve dhe të gjitha klubet e ligave të kategorive të reja, se ndeshjet e basketbollit nga data 12.03.2020 (e enjte) duhet të zhvillohen me dyer të mbyllura, pra pa praninë e publikut.
Ndërsa sot (e premte), bordi i FBK-së ka vendosur t’i pezullojë që nga sot garat në 11 ligat e kategorive.
Njoftimi i tyre ka ardhur nga faqet zyrtare në rrjetet sociale.
Njoftimi pa ndërhyrje i FBK-së
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) me propozim të Komesarit të Garave të FBK-së, konform Statutit dhe Rregullores së Garave të FBK-së ka marr vendim që të pezullohen të gjitha garat e basketbollit tek gjeneratat e reja (11 liga), prej U12 deri në U18 (në të dyja konkurrencat) përderisa të ketë pezullim të mësimit, vendim ky i marr tashmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
I njëjti vendim duhet ti inkurajojë të gjitha klubet e gjeneratave të reja dhe shkollat e basketbollit, prindërit dhe fëmijët për të pezulluar veprimtarinë e tyre deri në një vendim tjetër.
Një vendim i tillë i FBK-së ka qenë i detyrueshëm për shkak të frikës nga koronavirusi Covid-19, që tashmë është përhapur edhe në vendet tona fqinje.
Ky vendim hyn në fuqi sot dhe mbetet si i tillë deri në një vendim të ri të Bordit të FBK-së.
Sinqerisht,
Arben FETAHU
Kryetar
Federata e Basketbollit të Kosovës
/Telegrafi/