Telegrafi

Bordi Drejtues në mënyrë unanime miraton emërimin e Valbon Krasniqit në krye të SHSKUK-së

Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka njoftuar se në mënyrë unanime ka miratuar emërimin e Valbon Krasniqit si  drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së.

“Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 10 shkurt 2021, në mënyrë unanime, e ka votuar Raportin e Komisionit Vlerësues, në bazë të të cilit drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së emërohet dr. Valbon Krasniqi”.

Në fazën e fundit të konkursit për drejtor të SHSKUK-së, gara u bë mes Valbon Krasniqit dhe Basri Lenjanit.

Valbon Krasniqi i cili është me profesion infektolog u bë i njohur për publikun me paraqitjet e shpeshta mediatike pasi u shfaq pandemia e coronavirusit.

Me rastin e formimit të Qeverisë Hoti, emri i Valbon Krasniqit është lakuar si kandidat për ministër të Shëndetësisë, por që i njëjti më pas u emërua ushtrues detyre i SHSKUK-së./Telegrafi/