Site icon Telegrafi

Bordi i Akreditimeve pa mandat, Kambovski akuzon politikën

Bordit të Akreditimeve i ka skaduar mandati që nga 15 shtatori. Në periudhën e fillim vitit akademik, kur duhet të bëhen akreditimet e fakulteteve, kryetari i këtij bordi Vllado Kambovski thotë se ngërçi politik mban pezull edhe funksionimin e Universiteteve. Sipas Ligjit për arsim të lartë që nga 17 maji do të duhej të themeloheshin Këshilli Nacional i arsimit dhe shkencës dhe Agjencia për cilësinë e arsimit të lartë, që në të ardhmen zëvendëson Bordin e Akreditimeve. Kambovski thotë se pa vendimet e plotfuqishme të Bordit të Akreditimeve nuk mundet më tej të vazhdoj procedura e nënshkrimit të atyre miratimeve në Ministrinë e Arsimit.

“Tani jemi në një hapësirë vakumi, në të cilin bien kërkesat e Universiteteve për ri akreditimet dhe akreditimet e programeve të reja studimore. Nuk kemi Agjenci për cilësinë, siç kanë vendet tjera të rajonit. Procedura e zgjedhjes së drejtorit është bllokuar diku në Kuvend dhe unë ju bëj thirrje që sa më shpejt të kryhet sepse që nga qershori kishte konkurs publik ku janë paraqitur kandidatët por Kuvendi nuk e ka kryer punën e vet deri në fund. -Pasojat janë shumë serioze prandaj ne njoftuam me shkrim Qeverinë për problemet që dolën dhe propozojmë që Bordi të vazhdoj në këtë përbërje”, deklaroi Vllado Kambovski, Kryetar i Bordit të Akreditimeve.

Por, nga Ministria e Arsimit thonë se Sipas Ligjit të ri, Bordi i Akreditimeve mund të vazhdoj me punë deri në përzgjedhjen e përbërjes së re me qëllim që mos të stagnojnë funksionimet e universiteteve. Agim Rushiti, përgjegjës për Arsimin e Lartë thotë se studentët nuk duhet të shqetësohen për këtë çështje ngaqë akreditimet do të rregullohen dhe diplomat e tyre do të vlejnë njësoj si më parë.

“Pas themelimit dhe fillimit me punë të universiteteve, çdo program tjetër i ri, e që nuk ka qenë pjesë e Projektit për themelimin e Universitetit, duhet të akreditohet nga Bordi për akreditim dhe vlerësim dhe duhet të ketë vendim pune nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Përndryshe, çdo shkelje do të sanksionohet nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit”, tha Agim Rushiti, përgjegjës i Sektorit për arsim të lartë në MASH.

Në njërin nga Universitetet me programe të reja studimore, siç është “Nënë Tereza” studentët prapa kamerave shprehën ankesa për studimet e ciklit të parë dhe të dytë. Çështja e akreditimeve thonë ata se i hamendësoi për të regjistruar drejtimet e reja. Por, nga Rektorati i UNT-së thonë se për të gjitha programet që ka pasur konkurse të hapura kanë akreditimet përkatëse të vulosura.

“Një pjesë e programeve studimore kanë qenë të akredituara që nga themelimi të UNT-së, prej komisionit të posaçëm që është formuar dhe në paket janë akredituar deri diplomike dhe post diplomike. Një pjesë e studimeve post diplomike enkas janë akredituar dhe sipas ligjit të mëparshëm në çdo tre vjet bëjmë ri akreditimet, kurse sipas ligjit të ri çdo pesë vjet bëjmë akreditimet. Mirëpo, studimet post diplomike, për të cilat janë hapur konkurset janë të gjitha të akredituara”, tha Rizvan Sulejmani, Prorektor në UNT.

Në bazë të nenit 28 të Ligjit për arsim të lartë, universitetet mund të themelohet nëse në përbërjen e saj ka së paku 5 fakultete. Në UNT ky kusht u arrit me gjithsej 14 programe studimore të ciklit të parë dhe 10 programe të ciklit të dytë. Por, në konkursin e ciklit të dytë për vitin akademik 2019-2020 figurojnë 11 programe të hapura. Me probleme të ngjashme përballen edhe universitet tjera në vend./Alsat/

https://www.youtube.com/watch?v=tI0zq3aMNVk

Exit mobile version