Telegrafi

Bora Zemani: Unë mbështes ata që kanë nevojë për mbështetje, pa dallim!

Bora Zemani (Foto: Instagram)

Ditën e djeshme (e martë) artistët shqiptarë u solidarizuan me protestat në Amerikë për vrasjen e afro-amerikanit, George Floyd, duke ndarë me ndjekësit e tyre një fotografi me sfond të zi.

Ky veprim i personazheve në trojet shqiptare nuk u prit asapak mirë nga një pjesë e madhe e ndjekësve që posedojnë në këto rrjete sociale.

Kjo pasi shumë prej tyre kanë kritikuar artistët, marrë parasysh që probleme të ndryshme ka edhe në Kosovë e Shqipëri.

Rreth kësaj, një reagim e ka bërë edhe prezantuesja e njohur nga Shqipëria, Bora Zemani, e cila tha se do i përkrahë të gjithë ata që kanë nevojë, pa asnjë dallim.

Ajo ka vënë në dukje se postimet për George Floyd janë realizuar për solidarizim me humbjen e jetës së një njeriu, pa të drejtë.

“Çfarë ju bezdis në një foto të postuar në rrjete sociale në shenjë solidariteti me gjithë botën?! Ju kushtoi shumë? U harxhua gjë? Jo, nuk jetoj në Amerikë, por më dhembi njësoj si të ishte shqiptar ai burrë që lutej dëshpërimisht për të marrë frymë. Më dhembi sepse është njeri, dhe ju privua edhe fryma. Ashtu siç kam ndjerë dhimbje kur kam parë fëmijë sirian që humbin jetën në përpjekje për t’u larguar nga vendi i tyre ‘për një jetë më të mirë’. Apo për ata fëmijë nuk duhet të shqetësohemi, nuk janë shqiptarë. E sa e sa padrejtësi të tjera që ndodhin në botë.. apo për ato nuk duhet ta vrasim mendjen, nuk janë hallet tona!.

Ashtu siç më dhemb e më çmend po aq shumë një vajzë e përdhunuar dhe e shantazhuar për kaq shumë kohë. Edhe nëse nuk do të ishte shqiptare po prapë njësoj do revoltohesha e do ta mallkoja at monster pedofil, sepse mendoj se janë shpifësirat më të neveritshme në planet. Po mbështestim njerëz. Unë mbështes ata që unë besoj se kanë nevojë për mbështetje… pa dallim!. Ndonjëherë fizikisht, ndonjëherë financiarisht, ndonjëherë edhe vetëm me një postim në rrjete sociale sepse edhe me kaq i tregon atyre që po vuajnë, që nuk janë vetëm. Qetësohuni shqiptar. E di që jemi popull gjitholog e japim mend për çdo gjë por mos nxirrni problem edhe aty ku nuk ka!”, ka shkruar ndër tjerash Zemani.

Të njëjtin solidarizim, shumica e emrave të njohur kanë shprehur edhe ndaj rastit të 15-vjeçares, për të cilën Bora ka kujtuar se ditën e nesërme do të mbahet protesta “Për fëmijërinë e vjedhur”. /Telegrafi/