Telegrafi

Bora zbardhë Brezovicën dhe Rugovën

Reshjet e borës që kanë rënë mbrëmë dhe mëngjesin e sotëm kanë zbardhur Brezovicën dhe Rugovën.

Në pamjet që janë publikuar në rrjetet sociale nga “Meteo Ballan” dhe “Meteo Kosova”, vërehet se reshjet e borës kanë qenë mjaft të dendura, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot vendi ynë do të ndikohet nga masat e ajrit me presion të ulët atmosferik.

IHK njofton se kjo situatë meteorologjike do të kushtëzoj mot me vranësira dhe erëra mesatare deri të forta, nga drejtimi i veriperëndimit dhe veriut.

Në viset e ulëta, kryesisht në veri, veriperëndim dhe perëndim parashihen riga shiu, ndërsa në viset e larta fjolla të dobëta bore.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 3-5 gradë Celsius.

Ndërkaq, për të dielën parashikohet mot me ngrica të lehta dhe vranësira mesatare të përcjella edhe me intervale kohore me diell.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 3-6 gradë Celsius. /Telegrafi/