Mbrëmë në të gjithë vendin ka pasur erëra të forta dhe sot në mëngjes, në disa qytete ka pasur edhe reshje të borës.
Një ndër qytetet që u përball me erëra të forta dhe reshje të borës ishte edhe qyteti i Mitrovicës, shkruan Telegrafi.
Se a janë shkaktuar dëme nga kjo situatë, për Telegrafin ka folur drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Mitrovicës, Bahtir Maxhuni.
Maxhuni ka thënë se nuk ka pasur asnjë ankesë nga qytetarët se u janë shkaktuar dëme.
“Gjatë natës së mbrëmshme edhe pse ka pasur erëra të forta, në Komunën e Mitrovicës nuk ka pasur asnjë kërkesë apo ankesë nga ana e qytetarëve”, ka thënë Maxhuni.
Ai ka thënë tutje se janë në gjendje gatishmërie për t’i menaxhuar situatat që vijnë si shkas i fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, përmes operatorëve ekonomik.
“Ne si komunë jemi të përgatitur për të menaxhuar çfarë do që ndodhë nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera përmes operatorëve ekonomik, të cilët janë në gjendje gatishmërie nga data 15.11.2024”, ka shtuar drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Mitrovicës.
Tutje, ai ka treguar se deri më tani të gjitha rrugët rurale dhe urbane janë të hapura dhe njëkohësisht të qarkullueshme, transmeton Telegrafi.
Më tej, Maxhuni ka theksuar se operatorët ekonomik janë në gjendje gatishmërie për çdo hap të intervenimit emergjent dhe se sipas tij, nga 15 nëntori i këtij viti kanë marrë hapa në preventivën e mirëmbajtjes se kanaleve e pusetave.
“Operatorët ekonomik janë të gjithë në gjendje gatishmërie për çdo hap të intervenimit emergjent, po ashtu nga data 15.11.2024 kemi marrë hapa në preventivën e mirëmbajtjes se kanaleve, pusetave, prrockave në zonat rurale, aty ku e kemi vlerësuar rrezikshmërinë që mund të vij deri tek ndonjë incident apo avari nga fatkeqësitë natyrore”, ka përfunduar drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Mitrovicës, Bahtir Maxhuni. /Telegrafi/