Është ulur numri i të prekurve nga viruset, si pasojë e reshjeve të kohëpaskohshme të borës. Nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) bëjnë të ditur që numri më i lartë i të prekurve nga viruset janë regjistruar në Qendrën e Shëndetit në Shkup, me 1046, ndërsa mbi 600 raste janë raportuar në Qendrat e Shëndetit Publik në Strumicë dhe Manastir. Ndërsa, sa i përket grupmoshave, më së shumti është atakuar grupmosha 15 deri 60 vjeç edhe atë me një numër të raportuar me 5680.
“Reshjet e borës, po ashtu edhe pushimet e nxënësve kanë ndikuar automatikisht në uljen e numrin e të prekurve nga ky virus. Gjegjësisht gjatë javës së kaluar, gjatë javës së parë të vitit 2017, duke përfshirë nga 1 tek 8, janë raportuar 8067 raste, ndërsa duke bërë një krahasim me javën e kaluar, ky numër është zvogëluar me një përqindje 14. 9%, që gjatë javës së kaluar numri vijonte në 9485, por gjithsesi duhet theksuar se ky numër është akoma i lartë dhe shënon një aktivitet të lartë te virusi”, ka deklaruar për televizionin Shenja, Largime Jusufi-Ballazhi nga ISHP.
Largime Jusufi tha që edhe pse numri i të prekurve nga viruset është zvogëluar, ekziston ende rreziku për një rritje të saj. Ajo potencoi se nuk duhet harruar që, 2 fëmijë të moshës tre dhe katër vjeç, njëri nga Gostivari dhe tjetri nga Kërçova ndërruan jetë si pasojë e këtyre viruse. Andaj ajo porositi që sidomos gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël të kenë kujdes të veçantë, ndërsa personat të cilët kanë simptome më të lehta të viruseve të qëndrojnë në shtëpi dhe të marrin masat e duhura që të mos lejojnë përhapjen e tyre, kurse personat që kanë komplikacione, pra simptome më të ashpra atëherë të kërkojnë kujdes intensiv./Telegrafi/