Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, në javën e parë të janarit, në vend është ulur numri i të prekurve nga gripi. Në 7 ditët e para të 2017-tës, janë regjistruar 8.067 raste të reja të të sëmurëve nga gripi. Edhe pse ky numër është i lartë, megjithatë nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se megjithatë, ky numër është ulur për 14,9% në krahasim me javën e fundit të muajit dhjetor, kur u regjistruan 9485 raste.
“Në javën e parë të vitit 2017, në Republikën e Maqedonisë janë regjistruar 8067 raste të reja të të sëmurëve nga gripi, që në krahasim me javën e kaluar paraqet ulje për 14.9%, kur u regjistruan 9485 raste. Numri i përgjithshëm i rasteve të shënuara edhe këtë javë e tejkalon kufirin e aktivitetit shumë të lartë, në përputhje me modelin MEM për përcaktimin e intensitetit të aktivitetit të gripit sezonal”, deklaruan për TV21 nga Instituti i Shëndetit Publik.
Sipas mjekëve, për uljen e numrit të të prekurve nga gripi kanë ndikuar temperaturat e ulëta, bora, por edhe zgjatja e pushimit shkollor.
Gjatë kësaj jave, nga gripi u regjistruan dy raste të vdekjeve. Bëhet fjalë për fëmijë në moshë 3 dhe 4 vjeç nga Kërçova dhe Gostivari të cilët u hospitalizuan në Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Shkup në Repartin për kujdes intensiv./Telegrafi/