Telegrafi

Bora dhe ngricat: Kombinim i rrezikshëm

Klinika e Ortopedisë në Spitalin Medicine, në Prishtinë, këshillon të gjithë që ecin apo merren me sporte dimërore, të jenë më të kujdesshëm gjatë kësaj sezone. Kjo vlen për të gjitha grupmoshat, e sidomos për të moshuarit, ku çdo rrëzim i tyre përfundon me thyerje të ndonjë kocke.

“Kemi shumë raste të thyerjeve të këmbëve, duarve, krahut apo thyerje në pjesë tjera, si pasojë e rrëshqitjeve në pjesë me ngrica. Poashtu, kemi vërejtur edhe lëndime tjera të muskujve dhe eshtrave, për shkak të arsyes së njejtë. Të gjithë pacientëve ju tregojmë se gjatë sezonës dimërore duhet të jenë shumë më të kujdesshëm, të pajisen me veshje të përshtatshme, dhe të evitojnë pjesët me ngrica” – tregon Op. Dr. Amir Vejseli, në klinikën e Ortopedisë në Spitalin Medicine.

Vendi vazhdon të jetë i mbuluar nga bora dhe temperaturat e ulëta. Rrezik kanë edhe shoferët e veturave dhe mjeteve të ndryshme transportuese nga ngricat që krijohen në rrugë. Numri i aksidenteve në këtë periudhë është më i lartë në krahasim me periudhat tjera, si rrjedhojë edhe numri i të lënduarve është më i lartë.

“Jemi gati që të pranojmë pacientë, t’i diagnostikojmë lëndimet dhe t’i shërojmë ato. Klinika e Ortopedisë këtu në Spitalin Medicine ka staf të kualifikuar dhe me përvojë, dhe përdor metodat e vërtetuara, prandaj i bëjmë thirrje të gjithëve që të na vizitojnë për këshillime dhe shërime të lëndimeve” – përfundon Op. Dr. Amir Vejseli.