Anëtarja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) dhe njëherit deputete e OBRM-PDUKM-së, Silvana Boneva ka tërhequr faturat e saj për kompenzimin e shpenzimeve të rrugës për muajin korrik dhe gusht, ku më parë i kishte dorëzuar në KSHZ, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Boneva përmes një mesazhi në telefon ka njoftuar se do të prononcohet sapo të lirohet nga puna, por pas disa orëve, kur u njoftua nga televizioni Alsat M se do të publikohet kjo informatë, ajo ka shkruar shkurt: ‘Është e drejtë e juaj…’
KSHZ nga dhjetori deri në qershor për anëtarët e saj për harxhime rruge u ka paguar gjithsej 25.000 euro, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Silvana Boneva, anëtare e KShZ nga radhët e OBRM-PDUKM e cila ka qenë në shënjestër të opinionit edhe më herët për harxhime rrugore, nga KShZ ka arkëtuar 12.000 për këtë qëllim, por siç ka publikuar Asat-M, Boneva ka deklaruar se pagesa është bërë në pajtim me ligjin.
Pas Bonevës më së shumti para ka arkëtuar Atanas Urumovi i cili vjen nga Gjevgjelia dhe ka pranuar 6.800 euro. Bedredin Ibraimi i cili vjen nga Tetova ka arkëtuar 3.000 euro, Subhi Jakupi nga Gostivari – 2.000 euro. Rexhep Prekopuca ka arkëtuar 500 euro, Igor Milevi – 370 euro, ndërsa Aleksandar Çiçakovski për këtë qëllim ka harxhuar 150 euro. Violet Duma dhe Sasho Srcev nuk kanë marrë para për harxhime rruge. /Telegrafi/